Krerët e komunave protestojnë kundër Qeverisë, LVV-ja e kundërshton aksionin
Krerët e komunave protestojnë kundër Qeverisë, LVV-ja e kundërshton aksionin
Disa kryetarë komunash nga PDK-ja, LDK-ja dhe Aleanca protestuan para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar mbrojtjen e buxheteve, pronës dhe kompetencave komunale, si dhe kompensimin e obligimeve që lidhen me kontratat kolektive.
Kryetari i Asociacionit të Komunave, Agim Aliu, deklaroi se gjatë viteve 2022–2026 nga buxhetet komunale janë marrë qindra miliona euro për këto obligime. Sipas tij, ato mjete mund të përdoreshin për ndërtimin e shkollave, çerdheve, rrugëve dhe objekteve sportive.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, akuzoi Qeverinë se po bllokon buxhetet dhe investimet në komunat ku LVV-ja nuk ka fituar. Ndërsa kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, kërkoi kompensimin e dëmeve bujqësore, disa prej të cilave, sipas tij, kanë mbetur të papaguara që nga viti 2022.
Kryetarët e komunave të udhëhequra nga LVV-ja nuk morën pjesë në protestë dhe e cilësuan atë si politike. Faton Peci dhe Alban Hyseni thanë se barra financiare lidhet me kontratat kolektive të nënshkruara nga qeveritë e mëparshme. Shpejtim Bulliqi deklaroi se mjetet nuk janë marrë nga komunat, por u kthehen atyre përmes projekteve investuese.
Organizatorët njoftuan se kërkesat do t’ia dërgojnë zyrtarisht kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Burimi: Radio Evropa e Lirë
Comments
Post a Comment
Ju lutemi të komentoni me respekt dhe pa gjuhë fyese