PESËDHJETË VJET STUDIME PËR QYTETET ILIRE

www.radiolyra.com 

PESËDHJETË VJET STUDIME PËR QYTETET ILIRE

Neritan Ceka

ILIRIA, Nr. 1–2, 1998, faqet 121–125

Ky pesëdhjetëvjetor i krijimit të Muzeut Arkeologjik-Etnografik në Tiranë përkon edhe me fillimin e studimeve për qytetin ilir. Ka qenë Hasan Ceka, i cili në artikullin e tij “Zbulimi i një qyteti antik në rrethin e Tiranës”, të botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave, seria Shkencat Shoqërore, 1951, nr. 1, f. 86–89, përdori për herë të parë termin qytet ilir.

Kjo përbën një shkëputje nga tradita e deriatëhershme e krijuar nga arkeologët e huaj, si Karl Patsch, Camillo Prashniker e Luigi Ugolini, të cilët i patën konsideruar Amantian, Bylisin, Lisin etj., si subkoloni helene në thellësi të territorit ilir. Është pikërisht Hasan Ceka, i cili bëri edhe përpjekjen e parë për gërmimin e një qyteti të rëndësishëm ilir si Amantia, gërmime të cilat u çuan më tej dhe u botuan nga Skënder Anamali. Në këtë periudhë të hershme të zhvillimit të shkallës kombëtare të arkeologjisë shqiptare vëmendja u përqendrua në kolonitë helene të bregdetit, veçanërisht në Apolloni. Megjithatë duhet vlerësuar përpjekja për të identifikuar në ambientin helen të këtyre kolonive faktorin ilir, i cili shfaqej në dëshmitë epigrafike, numizmatike, por edhe në elemente të tjera të kulturës materiale e shpirtërore.

Vitet 60 shënojnë fillimin e kërkimeve dhe studimeve sistematike në fushën e qytetërimit antik ilir. Duhet shënuar se kjo fushë u atakua në mënyrë komplekse, njëherazi nëpërmjet vështrimit historik me kërkimet e Selim Islamit dhe botimit të burimeve të shkruara mbi Ilirinë dhe ilirët, si dhe vështrimit arkeologjik nëpërmjet një numri të madh gërmimesh arkeologjike në Antigone, Dimal, Belsh, Zgërdhesh, Lezhë, Rosujë etj.

Sinteza e këtyre kërkimeve u realizua në Kuvendin II të Studimeve Ilire, si dhe në botimin Iliria II, i cili iu kushtua tërësisht problematikës së qytetit ilir.

Dy janë arritjet që mund të shënohen në këtë periudhë të studimit të qyteteve ilire.

Së pari, u krijua një tablo konkrete dhe komplekse e realitetit kulturor ilir në periudhën antike, duke e vlerësuar atë si periudhë qytetare ilire. Ndryshimi i tablosë kulturore tradicionale të periudhës së hershme të hekurit në një tablo e cila integrohej në qytetërimin antik mesdhetar u lidh me veprimtarinë ekonomike, politike dhe kulturore të qyteteve ilire, duke u shkëputur përfundimisht nga shpjegimet e thjeshtuara të ndikimit helen.

Së dyti, i gjithë zhvillimi kulturor u shpjegua në kuadrin e përgjithshëm historik ilir, ku si rezultat i krijimit të një shoqërie të strukturuar dhe të angazhimit të ilirëve në ngjarjet më të rëndësishme të botës së atëhershme antike, u profilizua një histori e veçantë e ilirëve, ku spikaste roli i Mbretërisë Ilire.

Si rezultat i këtyre kërkimeve dhe studimeve, realiteti antik ilir u bë i prekshëm nga zbulimi i monumenteve të rëndësishëm si fortifikimet e Amantias, Antigonesë, Zgërdheshit apo Lisit; i stadiumit të Amantias, portikut të Dimalit, banesave të Antigonesë etj.

Vitet 70–80 shënuan një intensifikim të kërkimeve arkeologjike në të gjitha drejtimet. Pati një përqendrim të gërmimeve në disa qendra kryesore, siç ishin Bylisi, Klosi, Antigonea, Selca e Poshtme, Triporti etj. Kjo gjë bëri të mundur kompletimin e vizionit mbi natyrën urbanistike të tyre, por edhe thellimin në aspekte të jetës së qyteteve, siç ishin organizimi politik, format e prodhimit, format dhe stilet arkitektonike, numizmatika, epigrafika etj.

Ajo që e dallon në mënyrë të qenësishme këtë periudhë kërkimesh është trajtimi i problemeve të gjenezës së qytetit ilir, të periodizimit, të lidhjeve kulturore e politike dhe të vazhdimësisë së tij përtej periudhës së pavarësisë politike ilire.

Një seri gërmimesh sistematike vërtetuan ekzistencën e një periudhe protoqytetare që i paraprin zhvillimit të mirëfilltë të qyteteve në Ilirinë e Jugut. Belshi, Margëlliçi, Mashkjeza, përbëjnë modele tipike të vendbanimeve të fortifikuara apo të hapura protoqytetare që u zhvilluan që nga fundi i shekullit VII deri rreth mesit të shekullit V para Krishtit. Shtresat protourbane u vërtetuan edhe në bazë të qendrave të ardhshme qytetare në Klos, Olympe, Berat, Kaninë etj.

Nga kërkimet në vendbanimet protourbane u vërtetua se qyteti ilir nuk kishte një gjenezë të drejtpërdrejtë nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike, siç mendohej më parë. Nuk ka pasur një fazë Gajtan si pararendëse e qytetit të mirëfilltë ilir dhe vetë Gajtani përfaqësonte një vendbanim të pafortifikuar, të karakterit të taracuar të Bronzit të Vonë, ndërsa muri rrethues i takonte në të vërtetë shekujve III–II para Krishtit, si pjesë e një fortifikimi të papërfunduar për shkak të pushtimit romak. Vetë periudha protourbane shënonte një zhvillim të natyrshëm nga periudha relativisht e qetë e Hekurit të Hershëm, e cila korrespondonte me Gjeometrikun grek, gjatë shekujve X–VIII para Krishtit. Elementi më tipik i trashëguar nga kjo periudhë ishte qeramika e pikturuar e tipit devollit, por edhe një repertor i kufizuar i metaleve, kryesisht armë dhe zbukurime.

Një tezë e dytë e rëndësishme ishte përmbysja në marrëdhëniet e gjenezës ndërmjet kolonive helene dhe qendrave protourbane ilire. Ndryshe nga sa ishte menduar më parë, nuk qe themelimi i kolonive helene ai që nxiti krijimin e epiqendrave të karakterit qytetar në prapatokën ilire. Në të vërtetë, sipas dëshmive arkeologjike, qendrat urbane kishin lindur disa dhjetëvjeçarë para themelimit të kolonive, duke krijuar ambientin e nevojshëm ekonomik dhe shoqëror për arritjen e kolonistëve.

Një fazë protourbane, që i takonte mesit të shekullit VII para Krishtit, u konstatua edhe në Dyrrah, si një mbështetje e traditës historike e cila e lidhte themelimin e këtij qyteti me një mbret ilir. Nga ana tjetër, gërmimet në akropolin e Butrotit provuan se fillimet e periudhës urbane në këtë qendër lidheshin me një emporion korkyras të shekullit VII para Krishtit, kur u krijua edhe një faltore përballë hyrjes së murit arkaik.

Në periodizimin e periudhës qytetare ilire u përcaktuan katër faza kryesore.

E para, e përfaqësuar nga Amantia, Klosi, Gurzeza e Dorëzi, në prapatokën më të afërt të kolonive, datohet midis viteve 450–380 para Krishtit dhe dallohet kryesisht nga tipi i fortifikimeve me muraturë poligonale-trapezoidale, mungesa e kullave, rrallësia e hyrjeve etj.

Periudha e dytë lidhet me aktivitetin e shtetit ilir, si dhe me pushtetin molos të Kaonisë e luginës së Vjosës dhe datohet midis viteve 380–280 para Krishtit. Ajo dallohet nga krijimi i konstelacioneve urbane në përputhje me organizimin e koinoneve qytetare, si ai i bylinëve, amantëve, atintanëve, prasaibëve etj. Qendrat qytetare krijohen gjatë kësaj periudhe në të gjithë territorin e Ilirisë së Jugut dhe të Kaonisë. Më përfaqësueset e këtyre qendrave janë Bylisi, Olympe, Butroti, Foinike, Berati, Mali i Vilës, Zgërdheshi, Shkodra, Rizoni etj. Në fortifikimet e tyre përdoren një varg teknikash, ku mbizotëron ajo katërkëndëshe. Dallimi kryesor nga periudha paraardhëse shfaqet kryesisht tek planimetria, ku ndeshen për herë të parë kullat, si dhe në ndryshimin e sipërfaqeve funksionale brenda rrethimit, në radhë të parë të agorasë.

Periudha e tretë, nga viti 280 deri më 168 para Krishtit, e zhvillimit urban lidhet kryesisht me veprimtarinë ndërtimore të mbretërve. Shembuj tipikë janë Antigoneja, e ndërtuar nga Pirro, dhe Lisi nga mbretërit ilirë. Ato karakterizohen nga përdorimi i muraturave tradicionale, por kanë një artikulim të veçantë të planimetrisë, ku shfaqen si ndarje ex novo akropoli, basileia, proteichisma etj.

Është pikërisht në këtë periudhë kur qyteti bëhet një fenomen i përgjithshëm për Ilirinë e Jugut, duke u shfaqur në formën e tij të qartë në trevat lindore të saj. Megjithëse në trevat e dasaretëve, veçanërisht në fushën e Korçës, ka pasur një periudhë intensive protoqytetare, ajo nuk u pasua menjëherë nga qyteti i mirëfilltë. Hija e Korbit, që identifikohet sipas emrit me Koragun e Polibit, duket se është një ndërtim ex novo i kohës së pushtimit maqedonas të Kasandrit. Edhe një qytet tjetër i kësaj treve, Antipatrea, që mund të identifikohet në Symizë, mban gjithashtu një emër maqedonas. Ndërkohë edhe Selca e Poshtme përcaktohet kryesisht nga varret monumentale si një qytet dinastik i shekullit III para Krishtit.

Për trevën e Dardanisë ende nuk kemi një model të qartë qytetar, përveç qytezës së Rosujës në Tropojë, që është larg formës së një qyteti të mirëfilltë ilir. Për sa i përket Damastionit, ky mbetet ende një qytet fantazmë, i dëshmuar kryesisht nga monedhat e argjendit. Simbolet e tyre flasin më tepër për një komunitet zejtar me lidhje egjeane, të huaj, në mos etnikisht, në nivelin e organizimit politik, ekonomik e shoqëror, me botën dardane në një periudhë protourbane e parashtetërore. Vetëm në shekullin II para Krishtit ky qytet integrohet në ambientin dardan, siç dëshmon evolucioni në simbolet dhe cilësinë e monedhave.

Nuk është përcaktuar ende lidhja ndërmjet qyteteve dhe bashkësive të hershme qytetare ilire dhe shtetit ilir, i cili luajti një rol të qartë historik gjatë shekullit IV para Krishtit. Në të vërtetë, qytetet e kësaj periudhe përfaqësohen më tepër nga fortifikimet e tyre, ndërkohë që nuk kemi asnjë të dhënë mbi ndërtimet e brendshme. Vetëm nekropoli i Amantias dhe ai i Bylisit dëshmojnë praninë e vazhdueshme njerëzore në qytetet ilire të shekullit IV, si dhe veprimtarinë e tyre kryesisht si qendra shkëmbimi. Me interes është identifikimi i qendrave të mëdha fshatare nëpërmjet nekropoleve të hapura, siç është ai i Dushkut pranë Lushnjës. Prania e tyre plotëson raportin qytet-fshat si bazë e zhvillimit të jetës qytetare të mirëfilltë, si dhe interesin për drithin ilir si një nga objektivat kryesore të ngulimeve helene të bregdetit.

Kuadri i plotë i zhvillimit të qyteteve ilire plotësohet vetëm rreth mesit të shekullit III para Krishtit. Është koha kur u formuan agoratë e qyteteve në Bylis, Klos, Amantia, Dimal, Antigone etj. Në trevat në veri të Shkumbinit prania e agorave dëshmohet në Zgërdhesh dhe në Lis, me sa mund të kuptohet nga veçimi si zonë urbanistike.

Për trevën e Kaonisë janë të qarta agoratë e Foinikes dhe Butrintit, të cilat plotësohen në zona të rezervuara në gjysmën e parë të shekullit IV para Krishtit. Dëshmi më të qarta të agorasë i kemi në Bylis, ku ajo kishte një sipërfaqe prej rreth katër hektarësh, të veçuar nga pjesa rezidenciale e qytetit nga një mur dekorativ, ndërkohë që komunikonte me një hyrje të veçantë me horën. Monumentet e zbuluara, si teatri, stoat, stadiumi etj., plotësojnë kuadrin e një qyteti të zhvilluar në modelet bashkëkohore, po të kemi këtu parasysh edhe institucionet politike dhe prerjet monetare autonome. Si rrjedhim i një pune intensive të zhvilluar në vitet 70 dhe 80, ne njohim sot në një gjendje të kënaqshme jo vetëm pamjen e jashtme të qyteteve ilire, por edhe jetën e zhvilluar brenda tyre.

Një numër i konsiderueshëm mbishkrimesh të zbuluara në Bylis, Amantia, Dimal etj., japin mundësi të rindërtohet imazhi i institucioneve politike të koinoneve, i përafërt në strukturën piramidale me ato të Greqisë Veri-Perëndimore dhe Epirit. Origjinaliteti qëndron në një kombinim të superstrukturës monarkike, të dëshmuar nga burimet historike për shekujt III–II, dhe të bazës republikane të tipit apolloniat, ku prytani ishte magistrat eponym.

Qytetet si qendra prodhimi janë një fenomen tërësisht i shekullit III para Krishtit, megjithëse funksionimin e një prodhimi të kufizuar lokal qeramik në trevën dasarete gjatë shekujve V–IV para Krishtit. Kjo shpjegohet me rolin primar të tyre si qendra shkëmbimi, të trashëguar që nga periudha protoqytetare, por edhe të një tregu relativisht të kufizuar, ku edhe përdorimi i monedhave prej bronzi ishte tepër i rrallë. Gjatë shekujve III–II, prodhimi i qeramikës i të gjitha llojeve ishte një tipar pothuaj i të gjitha qendrave qytetare në Ilirinë e Jugut, sidoqë punishte qeramike janë dëshmuar edhe pranë qendrave të dorës së dytë. Me interes janë dëshmitë nëpërmjet vulave mbi tjegulla, ku diferencohen punishtet e bashkësisë, damosia, nga ato të pronarëve privatë.

Jeta kulturore dhe shpirtërore në qendrat qytetare ilire mbetet një aspekt ende më pak i njohur dhe pak i studiuar. Onomastika dëshmon për një popullsi me karakter etnik ilir, pavarësisht nga përvetësimi në shkallë të gjerë i emrave helenë. Tipik është zotërimi i emrave ilirë tek magistratët e Bylisit, Amantias, Rabies, ashtu siç e gjejmë edhe tek dinastitë ilire, gjë që flet për një ndërgjegje etnike ilire. Panteoni ilir dhe mitologjia e tyre ndërtohet pjesërisht nga të dhënat arkeologjike si një adaptim i traditës së hershme në format e ideologjisë helenistike, gjë që u lehtësua nga baza e përbashkët indoevropiane.

Kolonitë helene kanë zënë një vend të veçantë në kërkimet arkeologjike të pesëdhjetëvjetorit të pasluftës. Gërmimet në nekropolet tumulare, por edhe ato në shtresat e qyteteve, sqaruan çështje të diskutueshme të kronologjisë së kolonive. Për Apolloninë u vërtetua lidhja e murit rrethues me një shtresë kulturore të çerekut të fundit të shekullit VII para Krishtit, gjë që e zhvendosi datën e themelimit të kësaj kolonie rreth një çerek shekulli para datës tradicionale, 588 para Krishtit. Të dhënat e deritanishme tregojnë, nga ana tjetër, se Apollonia u vendos si një themelim ex novo, ku nuk ka pasur më parë një vendbanim ilir. Përpjekja për t’i lidhur tumat e nekropolit të hershëm të Apollonisë me traditën ilire nuk kanë asnjë bazë, sepse ilirët e prapatokës e kishin braktisur këtë praktikë më se një shekull para themelimit të kolonive. Nuk ka dyshim se këto tuma nuk lidhen me ritin ilir, por me përkatësinë ndaj familjeve të themeluesve të qytetit.

Gjendja në fillimet e kolonisë në Dyrrah paraqitet ndryshe për praninë e një shtrese para apo protokoloniale me një përzierje të qeramikës protourbane ilire me atë të protokorintikut të vonë. Kjo dëshmon se kolonistët e parë u vendosën në një vendbanim ilir, gjë që përkon edhe me legjendat antike mbi themelimin e Dyrrahut. Për sa i përket Orikut, nuk ka dëshmi të sigurta arkeologjike mbi datën e themelimit dhe origjinën e kolonistëve. Megjithatë, nuk ka ndonjë bazë hipoteza mbi origjinën e tyre nga Eubea.

Pushtimi romak nuk solli ndryshime të dukshme në ecurinë e jetës urbane në Ilirinë e Jugut. Kjo shpjegohet nga fakti se Roma u ndesh ushtarakisht me mbretëritë ilire dhe epirote, ndërkohë që koinonet e lidhura me qytetet ose qëndruan neutrale, ose u pozicionuan krah romakëve, si parthinët, atintanët, kaonët etj. Zgjerimi i tregut ballkanik, sigurimi i rrugëve dhe politika e senatit për t’i zvogëluar koinonet, bëri që shekulli II të shënojë një ringjallje të aktivitetit ndërtimor dhe prodhues në qytetet ilire. Kjo ishte edhe koha e veprimtarisë më të dendur monetare në Bylis, Amantia, Olympe, Skodër dhe Lis. Nga kjo periudhë kemi edhe dëshmi të shumta epigrafike për mënyrën e qeverisjes së koinoneve nga Bylisi, Klosi, Amantia, Olympe, Dimali etj.

Një ndryshim rrënjësor në jetën e qyteteve ilire ndodhi vetëm në tridhjetë vjetët e fundit të shekullit I para Krishtit. Me vendosjen e sistemit të principatit nga Augusti, krijimin e kolonive romake dhe funksionimin e rregullt të rrugëve, u godit përfundimisht sistemi i koinoneve, jo vetëm në mekanizmin e tij politik, por para së gjithash në funksionimin e ekonomisë, të bazuar tek autarkia rajonale. Pjesa më e madhe e qendrave qytetare ilire u braktis, me përjashtim të atyre që kontrollonin rrugët apo portet kryesore, si Bylisi, Lyhnidi, Lisi, Skodra etj.

Një pjesë e qendrave ilire të braktisura në fund të shekullit I para Krishtit do të rifortifikoheshin në shekujt IV–VI pas Krishtit, por në funksione strategjike të lidhura me gjendjen e pasigurt gjatë dyndjeve barbare. Ka si rrjedhim një hiatus të theksuar kulturor në këto qendra, ndonëse jeta qytetare vazhdoi të zhvillohej në ritme dhe forma të tjera në ato qendra që iu përshtatën ose u krijuan në përputhje me ndryshimet ekonomike e politike të Perandorisë Romake.

Duhet të shënojmë, së fundi, se nuk ka asnjë vazhdimësi në natyrën urbane midis qendrave të fortifikuara ose urbane të Antikitetit të Vonë dhe qyteteve arbërore të fundit të Mesjetës së Hershme. Përpjekjet për të provuar një vazhdimësi iliro-arbërore në Berat, Kaninë e gjetkë nuk mbështeten nga të dhënat stratigrafike, për faktin e thjeshtë se ka pasur një shuarje të jetës urbane në formën antike të saj në pothuaj të gjitha qendrat e fortifikuara të Antikitetit të Vonë. Veprimtaria e natyrës urbane që vërtetohet në disa prej tyre në fund të Mesjetës së Hershme, kryesisht gjatë shekullit IX pas Krishtit, nuk përbën një vazhdimësi të thjeshtë, por një fillim nga e para, të mbështetur në një shoqëri feudale. Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur një vazhdimësi etnike që nga Antikiteti i Vonë ilir në Mesjetën e Hershme shqiptare, vetëm se kjo vazhdimësi është realizuar në kontekstin e formave rurale të ekonomisë dhe të instalimeve njerëzore.

Burimi: Neritan Ceka, “Pesëdhjetë vjet studime për qytetet ilire”, revista Iliria, nr. 1–2, 1998, faqet 121–125.


 

Comments

Popular posts from this blog

Vetqëndrueshmëria.