Kur Trupi THOTË JO - Gabor Mate
Kapitulli i 7
Stresi, Hormonet, Ndrydhja dhe Kanceri
SHUMICA E KANCERËVE TË MUSHKËRIVE shkaktohen nga karcinogjenë dhe nxitës të tumorit të futur në trup përmes pirjes së duhanit”, thotë botimi i dymbëdhjetë i librit Parimet e Harrisonit të mjekësisë së brendshme. Deklarata është shkencërisht e pasaktë pavarësisht të vërtetës që përmban.
Pirja e duhanit e shkakton kancerin e mushkërive po aq sa hedhja në ujëra të thella shkakton mbytjen. Aq fatale sa mund të jetë kredhja në ujëra të thella për atë që nuk di të notojë dhe është i pambrojtur, për dikë që noton mirë ose është i pajisur me jelek shpëtimi, ajo përbën rrezik të vogël. Një kombinim faktorësh është i nevojshëm për të shkaktuar mbytjen. Është e njëjta gjë me kancerin e mushkërive.
Pirja e duhanit e rrit shumë rrezikun e kancerit, jo vetëm të mushkërive, por edhe të fshikëzës, të fytit dhe të organeve të tjera. Por thjesht logjika na tregon se nuk mundet, e vetme, të shkaktojë ndonjërën prej këtyre gjendjeve malinje. Nëse A-ja shkakton B-në, atëherë sa herë që A-ja është e pranishme, B-ja duhet ta ndjekë. Nëse B-ja nuk e ndjek A-në në mënyrë konsistente, atëherë A-ja nuk mundet, në vetvete, të jetë shkaku i B-së – edhe nëse, në shumicën e rasteve, mund të jetë një faktor madhor dhe ndoshta i nevojshëm.
Faqe 114
Nëse pirja e duhanit shkakton kancer të mushkërive, çdo duhanpirës do ta zhvillonte sëmundjen.
Disa dekada më parë, David Kisen, kirurg kraharori britanik, raportoi se pacientët me kancer të mushkërive karakterizoheshin shpesh nga një tendencë për t’i “mbajtur brenda” emocionet. Në një numër studimesh, Kisen-i mbështeti përshtypjet e tij klinike se njerëzit me kancer të mushkërive “kanë shkarkime të varfra dhe të kufizuara për shprehjen e emocionit, krahasuar me pacientët e mushkërive pa malinjitet dhe pacientët normalë të grupit të kontrollit”.
Rreziku i kancerit të mushkërive, zbuloi Kisen-i, ishte pesë herë më i lartë te burrat, të cilëve u mungonte aftësia për t’i shprehur emocionet në mënyrë efektive. Veçanërisht intrigues ishte fakti që ata pacientë me kancer në mushkëri që pinin duhan, por nuk e futnin tymin brenda, shfaqnin një ndrydhje akoma më të madhe të emocionit sesa ata që e futnin tymin brenda. Vëzhgimet e Kisen-it nënkuptonin se ndrydhja emocionale vepron në mënyrë sinergjike me pirjen e duhanit në shkaktimin e kancerit të mushkërive. Sa më e rëndë ndrydhja, aq më pak ka nevojë për dëmtim nga tymi i duhanit që të rezultojë në kancer.
Depërtimet e Kisen-it u konfirmuan në mënyrë spektakolare nga një studim prospektiv që studiuesit gjermanë, holandezë dhe serbë kryen gjatë një periudhe dhjetëvjeçare në Cvrenka, në ish-Jugosllavi. Qëllimi i studimit ishte që të investigonte marrëdhënien e faktorëve psikosocialë të rrezikut me mortalitetin. Cvrenka, një qytet industrial me rreth katërmbëdhjetë mijë banorë, u zgjodh pjesërisht ngaqë njihej që të kishte një shkallë të lartë mortaliteti dhe pjesërisht për shkak se baza e qëndrueshme e popullatës lejonte një ndjekje më të lehtë të rasteve.
Gati 10 për qind e banorëve të qytetit u përzgjodhën, rreth një mijë burra dhe katërqind gra. Secili u intervistua në vitet 1965-66, me një pyetësor me 109 pika që përshkruante faktorë rreziku të tillë si ngjarje jete të pafavorshme, një ndjenjë afatgjatë mungese shprese dhe një stil përballimi tepër racional dhe joemocional. Parametra fizikë si nivelet e kolesterolit, pesha, tensioni i gjakut dhe historia e pirjes së duhanit u regjistruan gjithashtu. Njerëzit që tashmë kishin një diagnozë të sëmundjes u përjashtuan nga projekti studimor.
Faqe 115
Në vitin 1976, dhjetë vite më vonë, mbi gjashtëqind pjesëmarrës të studimit kishin vdekur nga kanceri, sëmundje të zemrës, goditje në tru ose shkaqe të tjera. Faktori i vetëm më madhor për vdekjen dhe veçanërisht vdekjen nga kanceri – ishte ajo që studiuesit e quajtën racionalitet dhe antiemocionalitet, ose R/A. Njëmbëdhjetë pyetje që identifikonin R/A masnin një tipar të vetëm: ndrydhjen e emocionit.
“Në fakt incidenca e kancerit ishte diku te 40 herë më e lartë tek ata që iu përgjigjën pozitivisht 10 ose 11 pyetjeve të R/A sesa te subjektet e tjera, që iu përgjigjën pozitivisht rreth 3 pyetjeve mesatarisht... Në qoftë se duhanpirësit nuk kishin incidencë të kancerit të mushkërive përveç rasteve kur ata gjithashtu kishin 10 ose 11 pikë të R/A, mund të sugjerohet se çdo efekt i pirjes së duhanit mbi mushkëritë thelbësisht duhet të jetë ‘numër i ndjeshëm’.”
Këto gjetje nuk i shfajësojnë produktet e duhanit apo manifakturuesit e cigareve nga përgjegjësia për përhapjen e kancerit të mushkërive – përkundrazi. Që të tridhjetë e tetë njerëzit në studimin e Cvrenkës që vdiqën nga kanceri i mushkërive kishin qenë duhanpirës. Rezultatet tregonin se me qëllim që të ndodhte kanceri i mushkërive, nuk është i mjaftueshëm vetëm duhani: ndrydhja emocionale duhet disi që të fuqizojë efektet e dëmtimit të trupit nga duhani. Po si?
Influencat psikologjike sjellin një kontribut vendimtar në fillimin e sëmundjes malinje përmes ndërlidhjeve të komponentëve të aparatit të stresit të trupit: nervat, gjëndrat hormonale, sistemi imunitar dhe qendrat e trurit ku emocionet perceptohen dhe procesohen.
Aktiviteti biologjik dhe psikologjik nuk janë të pavarur; secili përfaqëson funksionimin e një supersistemi, komponentët e të cilit nuk munden më të mendohen si mekanizma të ndarë ose autonomë. Çereku i shekullit të kaluar i hetimit shkencor ka zëvendësuar pikëpamjen tradicionale mjekësore perëndimore të ndarjes midis trupit dhe mendjes me një perspektivë më të vërtetë, më unitare. Kandis Pert, një studiuese e shquar amerikane, ka shkruar se “ndarja konceptuale midis shkencave të imunologjisë, endokrinologjisë dhe psikologjisë/neuroshkencës është një artefakt historik”.
Psikoneuroimunologjia – ose në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe të saktë, psikoneuroimunoendokrinologjia – është emri i disiplinës që...
Faqe 116
...studion funksionet e ndërlidhura të organeve dhe gjëndrave që rregullojnë sjelljen tonë dhe balancën fiziologjike.
Truri, sistemi nervor, organet imunitare, qelizat imunitare dhe gjëndrat endokrine janë të bashkuara përmes disa shtigjeve. Ndërsa bëhen më shumë kërkime, ka të ngjarë që të zbulohen më tepër lidhje. Detyra e kombinuar e këtij sistemi psikoneuroimunoendokrin (PNI) është që të sigurojë zhvillimin, mbijetesën dhe riprodhimin e çdo organizmi. Ndërlidhjet midis komponentëve të sistemit PNI e mundësojnë atë që të njohë kërcënime potenciale nga brenda ose jashtë, dhe të përgjigjet me sjellje dhe ndryshime biokimike të koordinuara për të maksimizuar sigurinë me një kosto minimale.
Pjesët e ndryshme të supersistemit PNI janë lidhur bashkë nga lidhje të sistemit nervor, disa syresh të identifikuara vetëm kohët e fundit. Për shembull, gjëndrat imune – më parë mendoheshin se vetëm hormonet vepronin mbi to – janë gjerësisht të furnizuara me nerva. Të ashtuquajturat organe imune parësore janë palca e eshtrave dhe gjëndra e timusit, të vendosur në pjesën e sipërme të kraharorit përpara zemrës. Qelizat imune që maturohen në palcë ose në timus udhëtojnë tek organet limfatike dytësore, që përfshijnë shpretkën dhe gjëndrat limfatike. Fibrat që dalin nga sistemi nervor qendror furnizojnë si organet limfatike primare, ashtu edhe ato sekondare, duke lejuar komunikim të menjëhershëm nga truri te sistemi imunitar. Gjëndrat endokrine prodhuese të hormoneve janë gjithashtu të lidhura drejtpërsëdrejti me sistemin nervor qendror. Kështu truri mund “të flasë” direkt me gjëndrat tiroide dhe adrenale, ose me testikujt dhe vezoret dhe organet e tjera.
Nga ana tjetër, hormonet nga gjëndrat endokrine dhe substancat e prodhuara nga qelizat imunitare drejtpërsëdrejti ndikojnë aktivitetin e trurit. Kimikatet nga të gjitha këto burime kapen pas receptorëve në sipërfaqet e qelizave të trurit, duke ndikuar kështu sjelljen e organizmit.
Akronimi PNI i referohet më zakonisht shkencës së psikoneuroimunoendokrinologjisë. Për arsye lehtësie e përdor këtu për të përshkruar sistemin fiziologjik që studion shkenca: është e lodhshme si për shkrimtarin dhe për lexuesin që të vazhdojë që të shqiptojë fjalën psikoneuroimunoendokrine.
Faqe 117
Ne të gjithë kemi pasur përvojën e përshkruar në gjuhën mjekësore si “sjellje e sëmundjes”, që ilustron veprimin e produkteve imune në tru. Një grup lëndësh kimike të quajtura citokina, të sekretuara nga qelizat imunitare, mund të induktojnë ndjenja që na shtyjnë t’i themi vendit të punës se jemi sëmurë – kemi ethe, mungesë oreksi, lodhje dhe nevojë më të madhe për të fjetur. Megjithëse janë shqetësuese, adaptime të tilla të shpejta janë dizenjuar që të ruajnë energjinë, duke na ndihmuar që të kalojmë sëmundjen. Megjithatë, sekrecioni i panevojshëm i të njëjtave substancave, do të interferonte me funksionimin normal – për shembull, duke shkaktuar lodhje të tepërt ose lodhje kronike.
Është befasuese kur mëson se qelizat limfatike dhe qelizat e tjera të bardha janë në gjendje të manifakturojnë gati të gjitha hormonet dhe substancat korriere të prodhuara në tru dhe në sistemin nervor. Edhe endorfinat, substancat kimike dhe qetësuesit e vetë trupit të ngjashme me morfinën dhe që ndryshojnë gjendjen shpirtërore, mund të sekretohen nga limfocitet. Dhe këto qeliza imunitare kanë gjithashtu në sipërfaqen e tyre receptorë për hormone dhe molekula të tjera që e kanë origjinën nga truri.
Shkurtimisht, përveç rrjetit unifikues të fibrave nervore që lidhin bashkë komponentët e ndryshëm të supersistemit PNI, ka gjithashtu një ndërveprim biokimik të vazhdueshëm midis tyre. Morija e produkteve që secili nga ata mund të dërgojë ose të marrë nga të tjerët u mundëson atyre të flasin dhe të kuptojnë të njëjtën gjuhë molekulare dhe t’i përgjigjen secili, në mënyrën e vet, të njëjtave sinjale.
Sistemi PNI është si një central gjigant, gjithnjë i ndezur me mesazhe të koordinuara që hyjnë në të nga të gjitha drejtimet dhe dalin jashtë në të gjitha drejtimet në të njëjtën kohë. Nga kjo rrjedh gjithashtu se çfarëdo stimuli afatshkurtër ose kronik që vepron në çdo pjesë të sistemit PNI, ka potencialin të ndikojë edhe në pjesët e tjera.
Çfarë i bën të mundura funksionet ndëraktive të sistemit PNI?
Një vështrim mikroskopik do të zbulonte vende të shumta receptorësh në sipërfaqen e çdo qelize, pas të cilave mund të lidhen korrierët e zakonshëm molekularë. Sikurse Kandis Pert raporton, një qelizë nervore tipike, ose një neuron, mund të ketë miliona receptorë...
Faqe 118
...në sipërfaqe: “nëse ju do t’i caktonit një ngjyrë të ndryshme secilit prej receptorëve që shkencëtarët kanë identifikuar, sipërfaqja mesatare e qelizave do të dukej si një mozaik shumëngjyrësh i të paktën shtatëdhjetë nuancave të ndryshme – 50,000 të një tipi receptori, 10,000 të një tipi tjetër, 100,000 të një të treti dhe kështu me radhë.”
Molekulat korriere dhe pjesa më e madhe e hormoneve përbëhen nga aminoacidet, blloqet ndërtuese bazike të proteinave. Ato quhen peptide – emri teknik për zinxhirët më të gjatë të aminoacideve. Asnjëra prej këtyre substancave kimike nuk është e kufizuar në ndonjë zonë apo organ të trupit. Një neuroshkencëtar i shquar ka sugjeruar termin “substanca informacioni” për të përshkruar të gjithë grupin, sepse secila prej tyre mbart informacion nga një qelizë apo një organ në tjetrin. Ka ndërveprime potenciale të shumta midis substancave të informacionit që burojnë nga secila pjesë e sistemit PNI dhe tipave të qelizave në çdo pjesë tjetër.
Qendra e sistemit PNI është vargu hipotalamik-pituitar-adrenal – aksi HPA. Është përmes aktivizimit të aksit HPA që stimujt psikologjikë dhe fizikë vënë në lëvizje përgjigjen e trupit ndaj kërcënimit. Stimujt psikologjikë fillimisht vlerësohen në qendrat emocionale të njohura si sistemi limbik, që përfshin pjesë të korteksit cerebral dhe gjithashtu struktura më të thella të trurit. Nëse truri interpreton informacionin që vjen si kërcënues, hipotalamusi do të nxisë gjëndrën pituitare që të sekretojë hormonin adrenokortikotrop. ACTH nga ana tjetër bën që korteksi i gjëndrës adrenale të sekretojë kortizol në qarkullimin e gjakut.
Njëkohësisht me këtë kaskadë hormonale, hipotalamusi dërgon mesazhe përmes sistemit nervor simpatik – pjesës arratisu ose lufto të sistemit nervor – te një pjesë tjetër e adrenales – medulla. Medulla mbiveshkore manifakton dhe sekreton hormonin arratisu-lufto, adrenalinën, që menjëherë stimulon sistemin kardiovaskular dhe atë nervor.
Nuk është aq për t’u habitur që të njëjtat influenca që organizmi ka më shumë të ngjarë t’i interpretojë si emocionalisht stresuese, janë gjithashtu nxitësit psikikë më të fuqishëm për aksin HPA: “Faktorë...
Faqe 119
...psikologjikë si pasiguria, konflikti, mungesa e kontrollit, dhe mungesa e informacionit konsiderohen stimujt më stresues dhe fuqimisht aktivizojnë aksin HPA. Ndjenja e kontrollit dhe e sjelljes konsumuese rezulton në shtypjen e menjëhershme të aktivitetit HPA.”
Sjellja konsumuese – nga fjala latine consummare, “të përfundosh” – është një sjellje që heq rrezikun ose çliron tensionin që shkaktohet nga ai. Ne kujtojmë se stimujt që nxisin stresin nuk janë gjithnjë kërcënime objektive të jashtme si grabitqarët ose katastrofat fizike potenciale, por gjithashtu përfshijnë perceptime të brendshme që diçka që e konsiderojmë thelbësore mungon. Kjo është arsyeja përse mungesa e kontrollit, mungesa e informacionit – dhe, siç do ta shohim, nevojat emocionale të papërmbushura (për shembull, mungesa e dashurisë), nxisin aksin HPA. Konsumimi i nevojave të tilla shfuqizon përgjigjen e stresit.
Duke pasur parasysh ndikimet e kryqëzuara biokimike dhe neurologjike brenda sistemit PNI, ne menjëherë mund të kuptojmë se si emocionet janë në gjendje të ndërveprojnë me hormonet, mbrojtjet imunitare dhe sistemin nervor. Në shkaktimin e kancerit, aktiviteti hormonal i çrregulluar dhe mbrojtjet imune të dëmtuara luajnë rol. Kanceri i mushkërive është një shembull parësor.
Sipas pikëpamjes mekanistike, kanceri rezulton nga dëmtimi i ADN-së së një qelize nga një lloj substance helmuese – për shembull, produktet e shpërbërjes së duhanit. Kjo perspektivë është e vlefshme deri në njëfarë pike, por nuk mund të shpjegojë përse disa duhanpirës zhvillojnë kancerë ndërsa të tjerë jo, edhe nëse sasia dhe tipi i duhanit që ata thithin është saktësisht e njëjtë. Pyetjet pa përgjigje janë: Përse janë qelizat e disa individëve më të prekshme se ato të të tjerëve? Përse riparimi i ADN-së ndodh në disa njerëz, por jo te të tjerët? Përse sistemi imunitar dhe mbrojtjet e tjera e mbajnë larg kancerin te disa njerëz, por jo te të tjerët? Çfarë është përgjegjëse për ndryshimet e mëdha në shërim ose progres të sëmundjes nga një person te tjetri, edhe kur kanceri identik diagnostikohet në saktësisht të njëjtin stad dhe madje kur të gjithë faktorët e tjerë – mosha, gjinia, të ardhurat, shëndeti i përgjithshëm – përputhen saktësisht?
Variacionet gjenetike mund t’i shpjegojnë këto çështje në disa...
Faqe 120
...kancerë, megjithëse, siç e kemi parë me kancerin e gjirit, në pjesën më të madhe të njerëzve trashëgimia nuk luan një rol në shkaktimin e kancerit. Kanceri i mushkërive, specifikisht, nuk është një sëmundje gjenetikisht e transmetueshme, as nuk është dëmtimi i gjeneve në kancerin e mushkërive për shkak të trashëgimisë.
Zhvillimi i çdo malinjiteti progreson përmes stadeve të ndryshme, i pari nga të cilët është fillimi, procesi nëpërmjet të cilit një qelizë normale transformohet në një qelizë anormale. Kanceri mund të shihet si një sëmundje e replikacionit të qelizës. Proceset normale të ndarjes së qelizës dhe të vdekjes së qelizës janë disi të përmbysura. Një qelizë që duhet të bëjë që të lindin pasardhës të shëndetshëm del nga kontrolli dhe ndahet në faksimile të keqformuara që replikohen vetë pa konsideratë për nevojat biologjike të organizmit. Me miliona qeliza që vdesin ose që formohen në trup çdo ditë, aksidentet natyrore, në vetvete, do të çonin në një numër të madh transformimesh anormale spontane. “Është fakt që secili prej nesh ka një numër tumorësh të vegjël kancerozë që rriten në trupat tanë në çdo moment”, shkruan Kandis Pert.
Tymi i duhanit ka një efekt dëmtues të drejtpërdrejtë në materialin gjenetik të qelizave të mushkërive. Është vlerësuar se për inicimin e kancerit, qelizat e mushkërive duhet që të pësojnë deri në dhjetë lezione të ndryshme ose pika të dëmtuara në ADN-në e tyre. Megjithatë, nuk ka rëndësi se ku në trup ndodh një dëmtim i tillë gjenomik, “rrallë çon në formimin e tumorit. Kjo është kryesisht për shkak të faktit se shumica e lezioneve të para janë kalimtare dhe eliminohen menjëherë nga riparimi i ADN-së ose vdekja e qelizës.”
Me fjalë të tjera, ADN-ja riparon veten ose qeliza vdes pa replikuar materialin e saj të dëmtuar gjenetik – që, pa dyshim, shpjegon faktin se shumica e duhanpirësve nuk zhvillojnë kancer klinik të mushkërive. Aty ku kanceri zhvillohet, ose riparimi i ADN-së, ose procesi normal i vdekjes së qelizës duhet të ketë dështuar. Në një pasqyrë të vitit 1999 të efekteve psikologjike mbi kancerin e mushkërive, studiuesit nga Kolegji Universitar i Mjekësisë i Ohio State-it shkruan: “Riparimi me të meta i ADN-së shoqërohet me rritjen e incidencës së kancerit. Stresi mund t’i ndryshojë këto mekanizma...
Faqe 121
...riparimi të ADN-së; për shembull, në një studim, limfocitet nga pacientë psikiatrikë të shtruar në spital me simptoma më të larta depresive shfaqnin dëmtim në aftësinë e tyre për të riparuar ADN-në qelizare të shkaktuar nga rrezatimi X [rreze-X].” Riparimi i dëmtuar i ADN-së gjithashtu është dokumentuar në studimet e kafshëve të stresuara në laborator.
Apoptosis është termi shkencor për vdekjen e rregulluar fiziologjikisht që është e nevojshme për mirëmbajtjen e indeve të shëndetshme. Apoptoza siguron ndërrimin normal të indeve, duke asgjësuar qelizat më të vjetra me material gjenetik të dobësuar, dhe duke lënë vend për pasardhësit e tyre të shëndetshëm dhe të fuqishëm. “Çrregullimi i apoptosistit kontribuon te shumë patologji, duke përfshirë prodhimin e tumoreve, sëmundjet autoimune dhe imunodeficitare, dhe sëmundjet neurodegjeneruese.”
Hormonet steroide të çliruara përmes aktivitetit të aksit HPA ndihmojnë që të rregullojnë apoptosisin në një numër mënyrash. Ndrydhja e zakonshme e emocionit e lë një person në një situatë stresi kronik, dhe stresi kronik krijon një mjedis biokimik të panatyrshëm në trup. Nivele të përhershme anormale të hormoneve steroide mund të interferojnë me programimin normal të vdekjes së qelizave. Gjithashtu, pjesëmarrëse në vdekjen e qelizave janë qelizat natyrale vrasëse. Depresioni – një gjendje mendore në të cilën ndrydhja e zemërimit dominon funksionimin emocional – ndërvepron me pirjen e duhanit për të ulur aktivitetin e qelizave NK.
Shkurtimisht, për shkaktimin e kancerit nuk është e mjaftueshme që të ndodhë dëmtimi i ADN-së; gjithashtu të nevojshme janë dështimi i riparimit të ADN-së dhe/ose dëmtimi i vdekjes së rregulluar të qelizave. Stresi dhe ndrydhja e emocioneve mund të ndikojnë negativisht te këto dy procese. Zbulimet e studiuesve të Cvrenkas dhe të kirurgut britanik David Kisen kanë kuptim fiziologjik kur ne konsiderojmë stadin e parë të transformimit malinj, atë të inicimit.
Një artikull me dy pjesë i publikuar në Revistën e shoqërisë mjekësore kanadeze në vitin 1996 rishikoi rolin e sistemit PNI në shëndet dhe sëmundje. “Te njerëzit e shëndetshëm”, vunë në dukje autorët, “mekanizmat neuroimunë sigurojnë mbrojtje të trupit kundër...
Faqe 122
...infeksionit, lëndimit, kancerit dhe kontrollojnë reagimet imune dhe inflamatore që parandalojnë sëmundjen.” Sëmundja, me fjalë të tjera, nuk është një rezultat i thjeshtë i një lloj sulmi të jashtëm, por zhvillohet në një qenie vulnerabël, në të cilën mjedisi i brendshëm është çrregulluar.
Fazat pasuese të ndryshimit kanceroz janë nxitja dhe progresi. Pasi u kanë shpëtuar mekanizmave rregullatorë normalë që duhej të kishin parandaluar mbijetesën e tyre, qelizat e reja malinje vazhdojnë të ndahen duke çuar në formimin e një tumori. Në këtë stad, rritja e tumorit mund të bllokohet ose të mbështetet nga mjedisi i brendshëm i trupit. Supersistemi PNI hyn në lojë. Duke vepruar kryesisht përmes rregullimit hormonal nga aksi HPA, krijon një mjedis në indet e trupit që është ose pranues, ose armiqësor ndaj rritjes dhe përhapjes së kancerit.
“Statusi kronik psikologjik i individit mund të luajë një rol të rëndësishëm ose në lehtësimin e nxitjes së tumorit, ose në zvogëlimin apo theksimin e impakteve të stresit mjedisor”, shkruan Dr. Mark E. Lipman, shefi i sektorit të kancerit të gjirit, në Degën e Mjekësisë, Instituti Kombëtar i Kancerit, Bethesda, Meriland. “Sistemi endokrin njerëzor siguron një ndërmjetës kritik të ndërveprimit midis psikikës dhe tumorit. Duket e pashmangshme që faktorët psikikë që mund të evokojnë ndryshimet endokrine do të kenë efekte në biologjinë aktuale të tumorit.”
Efekti i hormoneve në rritjen dhe përhapjen e kancerit është i dyfishtë. Së pari, shumë tumore janë në mënyrë të drejtpërdrejtë të varura nga hormonet, ose ato rriten në organe të përfshira ngushtë në ndërveprime hormonale, të tilla si vezoret ose testikujt. Qelizat kanceroze të varura nga hormonet kanë në membranat e tyre receptorë për hormone të ndryshme që janë në gjendje të nxisin rritjen e qelizës. Një shembull i kancerit të varur nga hormonet është ai i gjirit. Përgjithësisht kuptohet që shumë kancerë gjiri janë të varur nga estrogjeni, dhe kjo është arsyeja për përdorimin e ilaçit Tamoxifen që bllokon estrogjenin. Më pak e njohur është se disa kancerë gjiri kanë receptorë për një grup të madh “substancash informacioni”, që përfshijnë androgjenët (hormonet seksuale mashkullore), proge...progestinat, prolaktinën, insulinën, vitaminën D dhe shumë të tjera – që të gjitha të sekretuara nga aksi HPA ose të rregulluara nga ai.
Stresi është një modulator i fuqishëm i funksionit hormonal, siç shihet si në përvojën njerëzore, ashtu dhe në studimet e kafshëve. Në një eksperiment, studiuesit manipuluan marrëdhëniet e dominancës në grupet e majmuneve femra. Modele të stabilizuara të dominancës u prishën. Disa kafshë më parë dominante u detyruan të nënshtroheshin, ndërsa vartësit u mundësuan që të arrinin statuse dominante.
Nënshtrimi social shkaktoi mosfunksionime hormonale të aksit HPA dhe të vezoreve. “Femrat që ishin aktualisht dominante sekretonin më pak kortizol sesa ato që ishin tani të nënshtruara.” Majmunet femra dominante kishin menstruacione normale dhe përqendrime më të larta të progesteronit para ovulimit. Të nënshtruarat ovulonin më rrallë dhe kishin më shpesh cikle menstruale të çrregulluara.
Kur situata eksperimentale u ndryshua në mënyrë që majmunet më parë dominante u bënë të nënshtruara, funksioni i tyre riprodhues pothuaj menjëherë u shtyp dhe prodhimi i kortizolit iu rrit. E kundërta ndodhi në rastin e majmuneve më parë të nënshtruara, por rishtazi të bëra dominante.¹³
Kancerët e organeve femërore gjinekologjike të tilla si vezoret dhe uterusi janë gjithashtu të lidhura me hormonet. Malinjiteti i vezoreve është vetëm kanceri i shtatë më i zakonshëm te gratë, por është shkaku i katërt kryesor i vdekjeve nga kanceri. Nga të gjithë kancerët, mbart raportin më të lartë tumor-vdekje: që do të thotë, ka prognozën më të dobët. Në vitin 1999, 2 600 gra kanadeze u diagnostikuan me kancer në vezore. Në të njëjtin vit, 1 500 gra vdiqën prej tij. Në Shtetet e Bashkuara, rreth 20 000 gra diagnostikohen çdo vit; gati dy të tretat prej tyre do t’i nënshtrohen sëmundjes. Megjithëse trajtimi i hershëm është shumë efektiv, në kohën që diagnostikohen shumica e kancereve, kanceri ka avancuar përtej aftësisë së trajtimit aktual që ta shërojë.
Deri tani nuk ka teste shqyrtuese efektive për të identifikuar stadet fillestare të kësaj sëmundjeje. Ekografitë dhe një analizë gjaku e quajtur CA-125, janë të dobishme për monitorimin e trajtimit, por asnjëri prej tyre nuk është i besueshëm si një mjet për të zbuluar...
Faqe 124
...kancerin para se të shkaktojë simptoma apo para se të përhapet përtej vendit të origjinës. Darlina, agjente sigurimesh, u diagnostikua gjatë një kontrolli të infertilitetit. “Ata bënë një laparoskopi për të parë vezoret e mia”, thotë ajo, “dhe kështu zbuluan kancerin. Kështu që në vend të një fëmije, përfundova me heqje të vezores”.
Meqenëse infertiliteti është një nga indikatorët e njohur të rrezikut për kancer të vezoreve, faktorët hormonalë janë dukshëm të rëndësishëm. Faktkeqësisht, tabloja është konfuze. Menstruacionet e hershme dhe menopauza e vonë rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të vezoreve, ndërsa shtatzënitë dhe kontraceptivët e zvogëlojnë atë. Ky model do të sugjeronte që sa më shumë ovulojnë gratë, aq më të prekshme bëhen ndaj sëmundjes. Nga ana tjetër, infertiliteti – kur ovulacioni nuk ndodh – gjithashtu e shton rrezikun. Është e dukshme që influencat hormonale këtu janë të holla dhe të komplikuara. Ajo që ne dimë për hormonet e riprodhimit femëror është se ato janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj gjendjeve psikologjike të grave dhe streseve në jetët e tyre. Funksionimi hormonal mund gjithashtu të jetë i lidhur me disa tipare karakteri, sikurse konkludoi një studim i Universitetit të Pitsburgut në vitin 2001.
Studiuesit në Fakultetin e Mjekësisë të Pitsburgut krahasuan karakteristikat psikologjike të grave që në mënyrë kronike nuk kishin perioda – amenorrea – me gra, menstruacioni i të cilave ishte normal. Ata ishin veçanërisht të interesuar në një grup me amenorrea funksionale hipotalamike (FHA), që do të thotë, grupi i grave që nuk kishin sëmundje ose një konditë të identifikueshme që të shpjegonte mungesën e ovulacionit normal. Studimi zbuloi se “Gratë me FHA raportuan më shumë qëndrime disfunksionale, veçanërisht ato të shoqëruara me nevojën për aprovim. [Ato] kishin më shumë të ngjarë që të përkrahnin qëndrime që janë të përhapura midis njerëzve vulnerabël ndaj depresionit, të tilla si standardet perfeksioniste dhe shqetësimi për gjykimin nga të tjerët.”¹⁴
Një gjetje madhore e studiuesve të Pitsburgut ishte zbulimi i zakoneve pak të çrregulluara të të ngrënit te gratë, të cilave nuk u vinin periodat. Zakonet e çrregulluara të të ngrënit janë të lidhura në mënyrë të pandashme me çështje të pazgjidhura në fëmijëri, siç...
Faqe 125
...do ta shohim, për shembull, në rastin e komedianes Xhilda Radner që vdiq nga kanceri i vezoreve. Streset që krijojnë problemet me vetë-ushqimin janë gjithashtu strese që predispozojnë për shëndetin e dobët. Autorët e studimit të Pitsburgut shkruajnë se “gratë me FHA raportojnë më shumë shqetësime për dietën dhe peshën, frikën e shtimit në peshë, dhe tendencat për të ngrënë me tepricë”.
Modelet e të ngrënit janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështje emocionale që lindin si nga fëmijëria, edhe nga streset aktuale. Modelet se si hamë ose jo, dhe se sa shumë hamë, janë të lidhura fuqishëm me nivelet e stresit që përjetojmë dhe me përgjigjet përballuese që kemi zhvilluar përballë peripecive të jetës. Nga ana tjetër, zakonet dietare ngushtësisht ndikojnë funksionimin e hormoneve që ndikojnë traktin riprodhues të femrës. Anoreksikeve, për shembull, shpesh do t’u ndalen periodat.
Jerilin Prior, një endokrinologe nga Vankuveri me një interes special në çështjet e shëndetit të grave, zbuloi se çrregullime hormonale të holla mund të ndodhin midis grave që raportojnë perioda të rregullta dhe jo simptoma. Ajo shkroi në Revistën kanadeze të diagnozës: “Përreth një e treta e cikleve menstruale të rregullta dhe asimptomatike të grave të shëndetshme do të kenë çrregullime të ovulimit që, bazuar në parimet biologjike, mund të çojnë në rreziqe të rëndësishme të shëndetit.”¹⁵
Shkaku më i zakonshëm i dështimit të ovulacionit në studimin e dr. Prior-it ishte stimulimi i pamjaftueshëm i vezoreve nga hipotalamusi dhe gjëndra pituitare për shkak të një “çekuilibri ose moskoordinimi të sinjaleve të dërguara nga hipotalamusi dhe gjëndra pituitare në folikulin ovarian”. Këto çrregullime, shkroi dr. Prior, “shkaktohen nga adaptimet që lidhen me ciklin e jetës, ndryshimet në peshë, streset psikosociale, ushtrimet e tepërta apo sëmundjen”.
Malinjitetet e sistemit hematologjik (që prodhon qelizat e gjakut) të tilla si leukemia dhe limfoma janë gjithashtu të varura nga hormonet, duke qenë thellësisht të ndikuara nga kortizoli i prodhuar në gjëndrën adrenale. Hormonet kortikoide adrenale bllokojnë ndarjen dhe përhapjen e qelizave të leukemisë dhe limfomave. Kështu, malinjitetet hematologjike mundet, pjesërisht, të rezultojnë kur qelizat...
Faqe 126
...e gjakut dhe të limfës i shpëtojnë bllokimit normal për shkak të një sistemi HPA të çekuilibruar në mënyrë kronike. Studimet në dispozicion tregojnë për një dinamikë të rëndësishme në jetët e të rriturve me këto sëmundje.
Në Universitetin e Roçesterit, një studim pesëmbëdhjetëvjeçar i njerëzve që zhvilluan limfoma ose leukemi raportohet se zbuloi që këto malinjitete ishin “të prira të ndodhnin në një mjedis të humbjes emocionale ose ndarjes që nga ana e saj sillte ndjenja ankthi, trishtimi, zemërimi ose mungese shprese”.¹⁶
Analogët sintetikë të hormonit të stresit kortizol janë komponentë të rëndësishëm të trajtimit të leukemisë dhe limfomës. Në mënyrë interesante, sasia e hormonit të ngjashëm me kortizolin që nevojitet për të bllokuar replikimin e qelizave leukemike është vetëm pak më i lartë sesa duhet të jetë normalisht në dispozicion në trup. Në rastin e leukemisë, episodet e një stresi akut në të cilin nivelet e kortizolit rriten përkohësisht janë disa herë të mjaftueshme për të nxitur shërim. Kjo mendohet të ketë ndodhur gjatë sëmundjes së kompozitores Béla Bartók.
Duhet të kujtojmë këtu se rritja e përkohshme e kortizolit që ndodh në episodet e stresit akut është e shëndetshme dhe e nevojshme. Ajo që nuk është e shëndetshme janë nivele të rritura në mënyrë kronike të kortizolit në persona të stresuar në mënyrë kronike.
Bartók-u, në mërgim nga vendlindja e saj Hungaria dhe e goditur nga leukemia, kishte marrë porosinë nga dirigjenti i Orkestrës Simfonike të Bostonit, Sergei Koussevitsky, që të shkruante një pjesë të re muzikore. Kompozitorja kaloi në lehtësim spontan nga sëmundja, që zgjati derisa u kompletua puna. Ka shumë të ngjarë që, kortizoli i nxitur nga HPA dhe disa elementë të tjerë të sistemit PNI kontribuuan në këtë lehtësim të famshëm, që bëri të mundur krijimin e veprës Concerto for Orchestra të Bartók-ut, një vepër klasike e shekullit të njëzetë.
Pavarësisht nga efektet e tyre të drejtpërdrejta mbi malinjitetet e varura nga hormonet, hormonet e rregulluara nga aksi HPA i ndjeshëm ndaj stresit dhe nga zonat limbike të trurit veprojnë në inde të tjera të trupit për të ndikuar zhvillimin e kancerëve. Kryesori...
Faqe 127
...midis këtyre indeve të ndjeshëm ndaj hormoneve është sistemi imunitar.
Është bërë zakon që ta konceptojmë kancerin si një pushtues kundër të cilit trupi – si një shtet i sulmuar nga jashtë, duhet të shkojë në luftë. Një pikëpamje e tillë, megjithëse ndoshta qetësuese në thjeshtësinë e saj, është një deformim i realitetit. Së pari, edhe kur ka një karcinogjen të jashtëm si duhani, kanceri vetë është pjesërisht rezultat i proceseve të brendshme që nuk kanë shkuar siç duhet. Dhe sigurisht, për pjesën më të madhe të kancerëve, karcinogjeni i identifikuar nuk ekziston. Së dyti, është mjedisi i brendshëm, në nivel lokal dhe në të gjithë organizmin, që luan një rol madhor në vendimin nëse malinjiteti do të lulëzojë apo do të eliminohet. Transformimi malinj i qelizave normale, me fjalë të tjera, është një proces i përcaktuar nga shumë faktorë që kanë të paktën po aq të bëjnë me gjendjen psikosociale të organizmit sa edhe me vetë tipin e kancerit.
Porsa kanceri arrin stadin ku sipërfaqet e qelizave të tij shfaqin molekula të ndryshme nga proteinat normale të trupit, duhet të shkatërrohet nga përgjigjet imunitare të shumë llojeve. Qelizat T duhet ta sulmojnë atë me kimikate helmuese: kundërtrupat duhet të formohen kundër tij; qeliza gjaku të specializuara duhet ta mbllaçitin. Nën kushtet e stresit kronik, sistemi imunitar mund të bëhet ose shumë konfuz për të njohur klonet e qelizave të mutuara që formojnë kancerin, ose shumë i dobësuar që të ngrejë një sulm efektiv kundër tyre.
Gjithashtu të përfshira në rritjen dhe zhvillimin e tumoreve janë një numër i madh kimikatesh të prodhuara lokalisht, disa të sekretuara nga vetë kancerët. Kimikate të tilla përfshijnë faktorë rritjeje, substanca bllokuese dhe molekula korriere të shumë llojeve. Një balancë e komplikuar midis tyre do të anojë procesin në drejtim të shtypjes së tumorit ose rritjes së tij. Është e mjaftueshme të themi këtu që kjo kaskadë biokimike e ndërlikuar është thellësisht e influencuar nga sistemi PNI, veçanërisht përmes hormoneve dhe substancave të tjera të informacionit.
Së fundmi, gjendjet emocionale kanë një domethënie potenciale të madhe në parandalimin ose inkurajimin e metastazave të kancerit,...
Faqe 128
...lëvizjen e qelizave malinje nga vendndodhja origjinale e tumorit në zonat e tjera të trupit.
Në mitologjinë popullore, kanceri duhet të “kapet shpejt” para se të ketë një shans që të përhapet. Realiteti biologjik është mjaft i ndryshëm: në kohën që tumori bëhet i dallueshëm, përhapja, në shumë raste, tashmë ka ndodhur. “Një proporcion i lartë i kancereve të hershëm tashmë ka hedhur metastaza okulte në kohën e diagnostikimit të tumorit primar”, ka vënë në dukje onkologu britanik Basil Stoll.¹⁷ Megjithatë, pjesa më e madhe e metastazave ose vdesin, ose janë në gjumë për një kohë të gjatë.
Koha e dyfishimit – sasia e kohës së nevojitur për masën e një tumori që të dyfishohet në madhësi – varion nga një tip kanceri në tjetrin, dhe ka shumë variacione brenda llojeve individuale të kancerit. Që një tumor të vërehet klinikisht, madje edhe në një ind trupor lehtësisht të qasshëm si lëkura dhe gjiri, duhet që të bëhet rreth gjysmë grami në madhësi, duke përfshirë rreth pesëqind milionë qeliza. Një qelizë e vetme me një mutacion malinj do të duhet të dyfishohet rreth tridhjetë herë për të arritur dimensione të tilla.¹⁸ Në kancerin e gjirit, koha e dyfishimit është llogaritur që të variojë nga disa ditë në një vit e gjysmë me një mesatare prej rreth katër muajsh. “Nëse një qelizë tumori do të rritej në mënyrë konstante në shkallën e fundit, do të duheshin rreth tetë vjet që të bëhej i dukshëm nga ana klinike, dhe disa burime sugjerojnë një kohë dyfishimi akoma më të gjatë me një interval kohor prej rreth 15-20 vjet që të bëhet i dukshëm klinikisht.”¹⁹
Në jetën reale të një tumori, ndoshta nuk ka një shkallë të qëndrueshme dyfishimi. Më tepër, ka luhatje në shkallën e rritjes në varësi të asaj që ndodh në jetën e trupit. Ne kujtojmë historinë e Mishelës, kanceri i gjirit të së cilës, që kishte qenë i pranishhëm për shtatë vjet, ndryshoi dramatikisht pas një periudhe stresi akut.
Meqenëse kancerët e gjirit kanë potencialin të bëjnë metastaza në kohën që ata janë pak mbi gjysmë milimetri në diametër, “nëse një tumor do të bëjë metastaza, në përgjithësi do ta ketë bërë këtë në kohën që [ai] është klinikisht i zbulueshëm”.²⁰
Përhapja mikroskopike e qelizave malinje duket të ndodhë në...
Faqe 129
...shumë raste të kancerit të gjirit pa shkaktuar ndonjëherë probleme klinike. Në raste të tjera, depozita metastatike mund të jetë në gjumë në inde të largëta për vite dhe më pas, papritur, ta deklarojë veten në formën e simptomave. E njëjta dinamikë vepron me kancerin e prostatës, që është arsyeja përse përhapja ka ndodhur tashmë në 40 për qind të malinjiteteve të prostatës në kohën që bëhet diagnoza. Në fakt, me një ngjashmëri impresionuese me kancerin e prostatës, studimet e autopsive të grave tregojnë se një shumicë prej 25 deri në 30 për qind të të gjitha grave kanë malinjitete mikroskopike të gjirit, “shumë më tepër sesa numri që në fakt e manifeston”.²¹
Prandaj çështja këtu nuk është thjesht parandalimi i përhapjes, por edhe arsyeja përse, si dhe nën cilat kushte te disa njerëz depozitat tashmë ekzistuese të fjetura konvertohen në kancer klinik. Fjetja e tumorit preket nga shumë ndikime imunologjike, që të gjitha ato funksione të sistemit PNI dhe tepër të ndjeshme ndaj streseve të jetës.
Ka luhatje dramatike në ritmet e rritjes së tumorit nga një pacient te tjetri. Gjithashtu evidente është një shkallë e lartë paqëndrueshmërie në shfaqjen e sëmundjes metastatike dhe të kohëve të mbijetesës midis pacientëve që, klinikisht, diagnostikohen me të njëjtin tip kanceri në të njëjtin stad ashpërsie. Për shembull, ka “shumë raste ku kanceret e gjirit jo plotësisht të operuar nuk përsëriten kurrë, ose ku depozitat dytësore janë në gjumë në indet e trupit për deri në 30 vjet para se të manifestohen”.²² Këto ndryshime individuale, do të dukej, janë jo për shkak të sjelljes autonome të malinjitetit, por për shkak të faktorëve në mjedisin e brendshëm të trupit që bllokojnë rritjen e kancerit ose, anasjelltas, e inkurajojnë atë. Ai mjedis i brendshëm është thellësisht i ndikuar nga stresorë që veprojnë mbi jetët e njerëzve dhe gjithashtu nga mënyrat tepër të ndryshueshme me të cilat individët përballojnë stresin.
Në studime të shumta të kancerit, faktori i rrezikut i identifikuar në mënyrë më të qëndrueshme është paaftësia për të shprehur emocione, veçanërisht ndjenjat e shoqëruara me zemërimin. Ndrydhja e zemërimit nuk është një tipar emocional abstrakt që në mënyrë misterioze çon në sëmundje. Është një faktor rreziku madhor, sepse rrit stresin fiziologjik mbi organizmin. Nuk vepron vetëm, por në...
Faqe 130
...lidhje me faktorë të tjerë rreziku që ka të ngjarë ta shoqërojnë si mungesa e shpresës dhe mungesa e mbështetjes sociale. Personi që nuk ndien ose nuk shpreh emocione “negative” do të jetë i izoluar edhe nëse është i rrethuar nga miq, sepse vetja e tij reale nuk shihet. Ndjenja e mungesës së shpresës pason nga paaftësia kronike për të qenë i vërtetë me veten në nivelin më të thellë. Dhe mungesa e shpresës çon në ndjenjën e pafuqisë, sepse asgjë që njeriu mund të bëjë perceptohet që sjell ndonjë ndryshim.
Një studim u fokusua te gra të shëndetshme që nuk kishin simptoma, vetëm një test Pap jo normal gjatë një ekzaminimi fizik rutinë. Pa dijeni për rezultatet e testit Pap, studiuesit “ishin në gjendje të parashikonin me pothuaj 75 për qind saktësi ata individë që kishin kancer të hershëm, thjesht duke përdorur një pyetësor që bënte dallime midis gjendjeve emocionale të ndryshme. Ata zbuluan se kanceri kishte më shumë prirje të ndodhte tek ato gra me “një personalitet të prirë ndaj pafuqisë, ose njëlloj ndjenje frustrimi të pafuqishëm që nuk kishte mundur të gjente zgjidhje gjatë gjashtë muajve të mëparshëm”.”²³
Studiuesit në Cvrenka kishin parashikuar gjithashtu se cili midis gati një mijë e katërqind subjekteve do të kishte të ngjarë të zhvillonte kancer dhe të vdiste për shkak të tij, bazuar në karakteristikat psikologjike të racionalitetit/anti-emocionalitetit (zemërimit të ndrydhur) dhe një ndjenje afatgjatë të mungesës së shpresës. Kur ata kontrolluan shifrat e vdekjeve dhjetë vite më vonë, zbuluan se kishin pasur të drejtë në 78 për qind të rasteve. “Na duket”, komentuan ata, “se rëndësia e faktorëve psikosomatikë të rrezikut ka të ngjarë që të jetë nënvlerësuar së tepërmi në shumë studime”.
Ndikimi i faktorëve psikologjikë të rrezikut ilustrohet në mënyrë prekëse në historinë e jetës së Xhilda Radner-it. Tezja e Radner-it dhe dy kushërira të saj vdiqën nga kanceri i vezoreve, dhe mamaja e saj u trajtua me sukses për kancerin e gjirit. Xhilda përballej me një rrezik gjenetik, por a ishte ajo absolutisht e destinuar që të vdiste nga kanceri i vezoreve? Nuk ka arsye për ta menduar këtë.
Faqe 131
Për shumicën e grave që zhvillojnë kancer të vezoreve, trashëgimia nuk figuron shumë në faktorët e rrezikut. Për disa prej tyre, është shumë domethënëse. Rreth 8 për qind e grave me kancer ovarian mbartin një nga mutacionet gjenetike të njohura që rrisin rrezikun. Në fakt, këto janë të njëjtat gjene BRCA të implikuara në kancerin e gjirit. Në varësi të asaj se cili varg i ADN-së është i përfshirë, ato me mutacione në njërin gjen mund të kenë 63% rrezik që të zhvillojnë kancer para se të mbushin shtatëdhjetë vjeç. Ato gra, mutacioni i të cilave është në gjenin tjetër, janë 27 për qind në rrezik nga kanceri i vezoreve para moshës shtatëdhjetë e pesë vjeç.²⁴ Për gratë pa mutacion, por që kanë një të afërm të shkallës së parë – mama, motër ose vajzë – me kancer të vezoreve, rreziku është rreth 5 për qind. Këtu sërish, ne shohim se gjenet në vetvete nuk tregojnë të gjithë historinë. Edhe në ato kategori të rrezikut të lartë, jo gjithkush është i paracaktuar që të zhvillojë kancer.
Xhilda Radner rrezatonte energji maniake dhe një dëshirë për përvoja, por ajo mbartte ngarkesat psikologjike të një jete shumë stresuese dhe vetëmohuese. Çrregullimi i të ngrënit nga i cili ajo vuajti ka të ngjarë që ndikoi në balancën hormonale. Ajo ishte gjithashtu infertile, ndoshta për shkak të tipit të çrregullimit hipotalamik-pituitar të diskutuar më parë në këtë kapitull.
Ylli me trup të hajthëm i programit Saturday Night Live ishte bulimike. Nga vetë përshkrimi i saj, ajo kishte qenë fëmijë “i pakënaqur, i shëndoshë dhe mediokër”. Ajo e karakterizoi fëmijërinë e saj si një “makth”. “Unë dhe vëllai im hanim aq shumë, sa u kthyem në fëmijë tullumbace të vegjël”, shkroi ajo në memoarin e saj. “Ne dukeshim si monstra pa qafë. Prindërit më çuan në kamp veror çdo vit dhe çdo vit bëhesha kokë turku. Në ‘lojën me princesha’ kishte vajza kontrolluese dhe vajza të bukura. Vajzat kontrolluese do ta bënin vajzën e bukur princeshë, dhe vajzat kontrolluese do të ishin këshilltaret e princeshës. Vajza e shëndoshë do të ishte shërbëtorja ose diçka tjetër, dhe ajo do të isha unë.”²⁵
Marrëdhënia e Xhildës me të ëmën duket të ketë qenë intensivisht negative, dhe në dukje e shenjuar nga konkurrenca për vëmendjen...
Faqe 132
...e babait të saj. Xhilda deklaroi se babai i saj kishte qenë “dashuria e jetës sime”. Vdekja e tij nga kanceri në tru, kur ajo ishte dymbëdhjetë vjeç, ishte një humbje e pariparueshme.
Gjithë jetën e saj si e rritur, Xhilda, thjesht nga dëshpërimi, në mënyrë të shthurur kërkoi dashurinë dhe pranimin e meshkujve. “Në një shkallë të madhe jeta ime është kontrolluar nga burrat që dashuroja”, shkroi ajo. Ajo u përpoq ta kthente veten në çfarëdo lloj gruaje që ajo mendonte se burri në jetën e saj preferonte.
Xhilda e gjente të pamundur t’ia shprehte të vërtetën e saj emocionale mamasë së saj Henriettës, ose t’i thoshte asaj jo direkt. Kur tashmë kishte fituar famë, por ende e mbante të fshehur buliminë, ajo do të përpiqej të qetësonte ankthet e nënës së saj për atë që ajo hante, duke sajuar trillime të detajuara të vakteve imagjinare. Henrieta nuk mësoi për buliminë e vajzës së saj kur Xhilda ishte gjallë.
Duke përdorur komedinë, Xhilda mund të kontrollonte ambientin e saj. Komedia përmbushte një nevojë të rëndësishme të fëmijërisë. Ishte një mënyrë për t’u bërë e dashur për babanë e saj dhe i vetmi mjet për ta arritur nënën e saj, “një mënyrë për të arritur tek ajo kur asgjë nuk funksiononte”. Ajo u bë një aktore komike “natyrale”. Çmimi ishte fshehja e vetë ndjenjave të saj.
Xhilda ishte maniake e vetëshpallur pas punës, e cila, do të shkruante ajo, “lejonte stresin dhe presionin ta drejtonte jetën time të çmuar”. Në një udhëtim në Paris në moshë të re, ajo doli para trafikut në një gjest dramatik vetëvrasës, që lehtësisht mund ta kishte vrarë. “Të paktën dikush kujdeset për mua”, i tha një shoqeje që e tërhoqi në një vend të sigurt.
Edhe pasi simptomat e saj të kancerit të vezoreve filluan të shkaktojnë shqetësim fizik, duke përfshirë bllokim të zorrëve, Radner-i ishte më shumë e shqetësuar për kënaqjen e të tjerëve sesa të nevojave të saj. Ajo kërkoi dhe mori këshilla nga disa burime. Dilema e saj: “Befas fillova të vras mendjen se si të kënaq kaq shumë njerëz? A të marr citrat magnezi? Po klizmat e kafesë? A t’i bëj të dyja? A të bëj masazhin abdominal apo atë të kolonikut? A t’u them mjekëve për njëri-tjetrin? Lindja takohet me Perëndimin në trupin e Xhildës: mjekësia Perëndimore nga fyti, mjekësia Lindore nga prapanica.”
Faqe 133
Kur u duk se ajo u trajtua në mënyrë të suksesshme, Xhilda u bë vajza reklamë për kancerin e vezoreve, duke u paraqitur në kopertinën e revistës Jeta. Ajo ishte një frymëzim për shumë të tjerë, por shërimi i saj ishte afatshkurtër. Ende e atashuar pas roleve që kishte zhvilluar si fëmijë, ajo qortoi veten që “kishte zhgënjyer” të tjerët duke zhvilluar një sëmundje terminale. “Unë isha bërë një zëdhënëse për Komunitetin e Mirëqenies, dhe një simbol i shërimit. Unë kisha qenë një paciente model kanceri krejtësisht aktive në terapinë time. Tani ndihesha si një shembull i gjallë që nuk funksiononte. Jam thjesht një mashtruese, mendova.”
Vetëm afër vdekjes së saj Xhilda më në fund mësoi se nuk mund të ishte nënë për të gjithë botën. “Nuk mund të bëja çdo gjë që doja të bëja. Nuk mund të merrja në telefon të gjithë pacientët me kancer që njihja, dhe nuk mund të përpiqesha që të ndihmoja të shëroheshin të gjitha gratë me kancer të vezoreve, dhe nuk mund të lexoja çdo letër që merrja sepse kjo po më copëtonte... Nuk mund të derdhja gjithë këta lot për këdo tjetër, duhej të kujdesesha për veten. Është e rëndësishme të kuptosh se duhet të kujdesesh për veten sepse ti nuk mund të kujdesesh për këdo tjetër derisa ta bësh këtë.”
Pregaditi:Hysni Baliu
Comments
Post a Comment
Ju lutemi të komentoni me respekt dhe pa gjuhë fyese